Grupi nismëtar
Gentiana Kapllani
Juriste
Gentiana është juriste me eksperiencë profesionale në industrinë e teknologjisë ligjore, korporata ndërkombëtare, akademi, koordinimin e projekteve në fushën e edukimit dhe fuqizimit të komuniteteve, trajnimin dhe mentorimin e të rinjve, dhe një prej nismëtareve të referendumit për shfuqizimin e ligjit 21/2024. Udhëhiqet prej bindjes së patundur se angazhimi kolektiv është melhem për çdo kohë dhe vend, ndaj qytetarët duhet të përdorin çdo mjet juridik për të mbrojtur trashëgiminë e tyre natyrore.
Prandaj, krahas angazhimeve profesionale, dhe përtej të qenit një prej nismëtareve të këtij referendumi, jep kontribut si këshilltare ligjore në mbarëvajtjen e procesit të tij, veçanërisht në raport me mbrojtjen e të dhënave personale.
Gentiana e ka ndërthurur përherë kuriozitetin profesional me përgjegjësinë për angazhim shoqëror, dhe është autore e bashkautore e punimeve hulumtuese: «Dhuna me bazë gjinore: qasja shqiptare dhe ndërkombëtare», «Nga de jure në de facto: Një pasqyrë e përgjithshme mbi zgjerimin e të drejtave të vajzave dhe grave në Shqipëri» dhe «Balanca ndërmjet të drejtës për t’u informuar dhe të drejtës për privatësi në vendimet gjyqësore: rasti i Shqipërisë». Aktualisht shkruan artikuj me përmbajtje ligjore në hapësirën e saj në internet, ku një prej temave i dedikohet edhe mbajtjes së referendumeve.