Si punojmë

Parimet tona

1

Qytetare

Nisma mbështetet te pjesëmarrja dhe firma e qytetarëve.

2

Jopartiake

Nuk përfaqëson dhe nuk promovon asnjë subjekt politik.

3

Transparente

Dokumentet, procesi dhe organizatat mbështetëse publikohen hapur.

Zotim publik

Si nisëm

Që në ditën e parë, grupi nismëtar nënshkroi dy deklarata publike: çfarë është kjo nismë, çfarë nuk do të bëhet kurrë me të, dhe kur do të mbyllet.

Deklarata I
e Nismëtarëve

Ne, nismëtarët e kësaj nisme qytetare për referendum, angazhohemi të veprojmë me ndershmëri, pavarësi, transparencë dhe përgjegjësi publike. Vendosim interesin kombëtar dhe vullnetin e qytetarëve mbi çdo interes personal, partiak apo grupor dhe zotohemi ta çojmë këtë proces deri në përfundimin e tij, duke respektuar Kushtetutën, ligjin dhe parimet demokratike.

Deklarata II
e Nismëtarëve

Ne, nismëtarët e kësaj nisme qytetare, deklarojmë se kjo nismë është tërësisht qytetare dhe e pavarur dhe nuk do të përdoret apo kanalizohet, në asnjë fazë të saj, për krijimin, mbështetjen ose promovimin e subjekteve politike apo interesave partiake. Me përfundimin e procesit të referendumit, pavarësisht rezultatit të tij, kjo nismë do të konsiderohet e përmbushur dhe do të shpërbëhet, pa vijuar aktivitet në asnjë formë organizative apo politike.

Rrjeti mbështetës

Organizatat mbështetëse

Organizata të pavarura që kontribuojnë me ekspertizë, koordinim ose komunikim publik.

ADCN

ADCN

Albanian Diaspora Civic Network

Rrjeti qytetar që lidh diasporën shqiptare me nismat civile në atdhe, përfshirë koordinimin e mbledhjes së nënshkrimeve.

albNatyra

albNatyra

albNatyra

Organizatë mjedisore shqiptare, e angazhuar për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zonave të mbrojtura.

Flamingo Revolution

Flamingo Revolution

Flamingo Revolution

Nëngrupi i pavarur që mbështet lëvizjen qytetare dhe mjedisore pas kësaj nisme me projekte si Harta dhe Dossier.

LUMI

LUMI

Movement for Water, Environment and Integration

Lëvizje mjedisore e fokusuar te mbrojtja e ujërave dhe e ekosistemeve natyrore shqiptare.

RESU

RESU

Reinforce Sustainability

Organizatë e përqendruar te qëndrueshmëria mjedisore dhe mbrojtja e territoreve natyrore.

Media

Njoftime për shtyp

Njoftimet zyrtare të nismës, të renditura nga më i fundit te më i hershmi. Kliko “Lexo më shumë” për tekstin e plotë.

· Njoftim për shtyp

“Revolucioni Flamingo” në Shqipëri hyn në fazën e mbledhjes së firmave për referendum

Ka nisur mbledhja e firmave për nismën qytetare dhe jopartiake që synon shfuqizimin e Ligjit Nr. 21/2024, ndërsa ADCN bën thirrje për vëmendje të vazhdueshme publike, qytetare dhe evropiane ndaj një procesi që ndërthur mbrojtjen e mjedisit, shtetin e së drejtës dhe pjesëmarrjen demokratike.

Lexo më shumë Mbyll

Më 20 gusht 2026, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi formularin zyrtar për mbledhjen e nënshkrimeve për nismën referendare që synon shfuqizimin e Ligjit Nr. 21/2024. Qytetarëve shqiptarë u kërkohet tashmë të japin 50.000 firmat e nevojshme sipas Nenit 150 të Kushtetutës, në mënyrë që nisma të mund të kalojë në fazat e mëtejshme.

Ligji nr. 21/2024 ndërhyri në kuadrin ligjor të zonave të mbrojtura, të ndërtuar mbi Ligjin nr. 81/2017. Referendumi synon pikërisht shfuqizimin e këtyre ndryshimeve të vitit 2024, jo të vetë ligjit bazë për zonat e mbrojtura.

Faza e nënshkrimeve e çon nismën përtej procedurës administrative dhe e vendos atë në një proces të pjesëmarrjes qytetare. Është një moment që meriton vëmendjen e shoqërisë civile, organizatave mjedisore dhe partnerëve evropianë, sepse prek njëherësh të ardhmen e zonave të mbrojtura, funksionimin e institucioneve dhe standardet që shoqërojnë rrugën evropiane të Shqipërisë.

Nga mbrojtja e Vjosa–Nartës te fuqia kushtetuese e qytetarëve

Ligji nr. 21/2024 ndryshoi kuadrin ligjor për administrimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Me përfshirjen e konceptit të “turizmit të ekselencës”, ai zgjeroi hapësirën ligjore për zhvillime turistike dhe veprimtari të lidhura me to brenda territoreve me status të mbrojtur. Ky ndryshim prek vetë thelbin e mbrojtjes ligjore: çfarë vlere ka statusi i një zone të mbrojtur, kush ka kompetencën ta dobësojë atë dhe në interes të kujt ushtrohet kjo fuqi?

Në Vjosa–Nartë, këto pyetje morën formë konkrete. Presioni i projekteve zhvillimore mbi këtë ligatinë me rëndësi ndërkombëtare ndezi protestat e përditshme që sot, prej afërsisht 90 ditësh, njihen si Revolucioni Flamingo — i cili lindi për mbrojtjen e një peizazhi dhe u zgjerua në një kërkesë për llogaridhënie, drejtësi mjedisore dhe respektimin e së drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar vendimet që prekin tokën publike dhe trashëgiminë natyrore të vendit. Që prej asaj kohe, presionet zhvillimore mbi zonën janë bërë objekt shqyrtimi nga Konventa e Bernës dhe Komisioni ENVI i Parlamentit Evropian. Vjosa–Narta u bë simboli i rezistencës; Ligji nr. 21/2024 nxori në pah përmasën kombëtare të problemit.

Kjo çështje prek njëherësh mbrojtjen e natyrës, funksionimin e institucioneve dhe cilësinë e jetës demokratike. Në vlerësimin e tij për Shqipërinë në vitin 2026, Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për korrupsionin e nivelit të lartë, dobësitë e kontrollit institucional, mungesën e transparencës dhe përfshirjen e pamjaftueshme të shoqërisë civile në vendimmarrje; rreziqet e korrupsionit në fusha si koncesionet, licencimi, ndërtimi dhe planifikimi territorial. Në të njëjtën kohë, ka kërkuar heqjen e dispozitave të papajtueshme nga legjislacioni për zonat e mbrojtura. Fati i Ligjit nr. 21/2024 lidhet, kështu, jo vetëm me mbrojtjen e natyrës, por edhe me shtetin e së drejtës dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.

Pas muajsh protestash, kërkesa qytetare po kalon nga rruga e protestës në atë kushtetuese. Përmes referendumit, qytetarët po përdorin një të drejtë që Kushtetuta ua njeh shprehimisht: të kërkojnë që për një ligj me pasoja të gjera publike të vendosë vetë elektorati. Në këtë kuptim, procesi provon edhe sa peshë reale kanë mekanizmat e pjesëmarrjes qytetare kur institucionet përfaqësuese nuk arrijnë t’i japin përgjigje një shqetësimi të zgjatur publik.

Përgjegjësinë ligjore dhe angazhimin moral të nismës e mbajnë dymbëdhjetë qytetarët nismëtarë; përmes tyre vihet në lëvizje një e drejtë kushtetuese që u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Albanian Diaspora Civic Network (ADCN) e mbështet nismën me informim publik, edukim qytetar, koordinim vullnetarësh dhe komunikim ndërkombëtar.

Vëmendja evropiane dhe angazhimi i shoqërisë civile

Në këtë fazë, mbështetja e partnerëve evropianë, organizatave mjedisore, rrjeteve që punojnë për shtetin e së drejtës dhe shoqërisë civile mund të ketë peshë konkrete: duke i dhënë dukshmëri mbledhjes së firmave, duke nxitur pjesëmarrjen e informuar dhe transparencën e procesit, duke sjellë ekspertizë të pavarur dhe duke krijuar lidhje e hapësira dialogu me nismëtarët dhe shoqërinë civile shqiptare.

Natyra nuk shitet. Mbrohet dhe trashëgohet.

Kontakt për media: [email protected]

Burime zyrtare

  1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Nenet 150–152.
  2. Ligji Nr. 21/2024, Qendra e Botimeve Zyrtare.
  3. Komisioni Evropian, Raporti 2025 për Shqipërinë.
  4. Byroja e Konventës së Bernës, Raporti i takimit, 17–18 qershor 2026.
  5. Komisioni ENVI i Parlamentit Evropian, Shkëmbim mendimesh mbi mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri, 14 korrik 2026.
  6. Parlamenti Evropian, Rezolutë mbi Raportin 2025 të Komisionit për Shqipërinë, 17 qershor 2026.
  7. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, miratimi i fletës tip të nënshkrimeve për referendum, 20 gusht 2026.

· Njoftim për shtyp

Hidhet hapi i parë zyrtar drejt referendumit për shfuqizimin e Ligjit Nr. 21/2024

Nisma e pavarur dhe jopartiake kërkon votim kombëtar për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

12 qytetarë nismëtarë paraqitën para pak ditësh kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke hedhur hapin e parë zyrtar drejt një referendumi kombëtar për shfuqizimin e Ligjit Nr. 21/2024; KQZ-ja e ka protokolluar dhe e ka publikuar zyrtarisht kërkesën.

Lexo më shumë Mbyll

Ligji që i hapi derën ‘turizmit të ekselencës’ brenda parqeve kombëtare të Shqipërisë — dhe që sot gjendet në zemër të Revolucionit Flamingo — po përballet me sfidën e tij më konkrete deri më sot.

I miratuar në shkurt 2024, Ligji Nr. 21/2024 zëvendësoi nenin që kufizonte ndërtimet brenda zonave të mbrojtura dhe në vend të tij prezantoi konceptin e ‘turizmit të ekselencës’: struktura akomoduese me 5 yje e më shumë, u lejuan tashmë edhe brenda zonave të mbrojtura, ndërkohë që Këshillit të Ministrave iu dhanë kompetenca të gjera për të ndryshuar vetë kufijtë dhe zonimin e këtyre territoreve. Pikërisht kjo dispozitë krijoi hapësirën ligjore ku u avancua projekti turistik luksoz në Vjosë-Nartë, i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner. Ky projekt që, pas muajsh punimesh pa leje e pa vlerësim mjedisor, u bë shkëndija e zgjimit të një populli, që prej kohësh duronte padrejtësitë e qeverisë së tij në heshtje, dhe ndezi protestat e përditshme që sot, prej afërsisht 70 ditësh, njihet si Revolucioni Flamingo.

Lëvizja, cilësuar nga media ndërkombëtare si më e madhja në Shqipëri që prej rënies së komunizmit, shkoi përtej Vjosë-Nartës dhe zonave të tjera të mbrojtura, duke u shndërruar në një thirrje më të gjerë për llogaridhënie, transparencë dhe reformë politike; ligji për zonat e mbrojtura mbetet një prej themeleve të saj.

Nisma për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, përmes së drejtës qytetare për referendum, është e pavarur nga çdo forcë politike dhe mbështetet në një parim të qartë: qytetarët po ushtrojnë drejtpërdrejt të drejtën që u njeh Kushtetuta për të kërkuar shfuqizimin e një ligji që prek interesin publik dhe trashëgiminë natyrore të vendit. Ka një simetri poetike që vështirë se kalon pa u vënë re: ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara si Ligji nr. 21/2024, u propozuan nga 12 deputetë; ndërsa shfuqizimin e tij po e kërkojnë, sot, 12 qytetarë.

Shqiptarët nuk kanë votuar në një referendum kombëtar që prej vitit 1998, viti kur edhe vetë Kushtetuta aktuale — akti që tashmë i garanton kësaj nisme të drejtën për t’u dëgjuar — iu nënshtrua vetë popullit për miratim. Neni 2 i asaj Kushtetute përcakton se sovraniteti i përket popullit, i cili e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejt; Neni 150 i jep këtij parimi një mekanizëm konkret, duke i njohur më shumë se 50 mijë shtetasve me të drejtë vote të drejtën për të kërkuar referendum për shfuqizimin e një ligji.

Pse kjo nismë vjen tani

Shqetësimet që ushqejnë këtë nismë nuk janë as të reja, as të pambështetura — të dokumentuara edhe nga vetë institucionet e Bashkimit Evropian, të cilit Shqipëria synon t’i bashkohet. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025, pjesë e paketës vjetore të zgjerimit, konstatoi se mbrojtja e natyrës në vend është përkeqësuar që prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve, se vlerësimi i ndikimit në mjedis mbetet i dobët në praktikë, dhe se pjesëmarrja publike në vendimmarrjen mjedisore nuk shënoi asnjë përmirësim gjatë vitit. Komisioni i lidhi këto konstatime drejtpërdrejt me Kapitullin 27 të negociatave për anëtarësim në BE, kapitullin e mjedisit dhe klimës, mbylljen e të cilit vetë qeveria shqiptare e ka kushtëzuar me trajtimin e këtyre ndryshimeve. Pra edhe Brukseli, partneri që Tirana kërkon të bindë më shumë se kushdo tjetër, e sheh Ligjin Nr. 21/2024 si pjesë të problemit, jo të zgjidhjes.

Vetë Kuvendi e ka pasur mundësinë të vepronte që nga nisja e protestave dhe krahas kërkesave të institucioneve të Bashkimit Evropian për rishikimin dhe shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme, në Kuvend janë paraqitur të paktën dy nisma ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve, por deri më sot asnjëra nuk është përfshirë në rendin e ditës. Pikërisht në këtë pikë marrin kuptim të plotë parimi i sanksionuar në nenin 2 dhe mekanizmi i parashikuar në nenin 150 të Kushtetutës: kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk veprojnë, populli ka të drejtën kushtetuese ta marrë fjalën drejtpërdrejt. Referendumi e nxjerr çështjen përtej kufijve të procedurës parlamentare dhe ia kalon vendimmarrjen qytetarëve me të drejtë vote, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo vendbanimit. Për nismëtarët, kjo ngre një pyetje themelore: a duhet mbrojtja e interesit publik të vijë vetëm pasi dëmi të jetë shkaktuar, apo qytetarët duhet të kenë mundësinë të përdorin mjetet që u njeh Kushtetuta për të vepruar përpara se pasojat të bëhen të pakthyeshme?

Çfarë vjen më pas

Me kërkesën tashmë të protokolluar nga KQZ-ja, radha i takon formularit zyrtar të nënshkrimeve, që do të bëhet publik sapo të miratohet. Më pas, grupi duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 50 mijë shtetasve me të drejtë vote — pragu që përcakton Neni 150 i Kushtetutës — duke përdorur vetëm atë formular. Në fund, Gjykata Kushtetuese do të kryejë brenda 60 ditëve shqyrtimin paraprak që kërkon Neni 152; nëse ky shqyrtim është pozitiv, Presidenti i Republikës cakton datën e referendumit me dekret.

Rolet dhe informimi publik

Grupi i qytetarëve nismëtarë është aplikuesi zyrtar pranë KQZ-së dhe mban përgjegjësinë e vetme për kërkesën për referendum. Albanian Diaspora Civic Network (ADCN), një rrjet i pavarur dhe jopartiak i shqiptarëve jashtë vendit, mbështet nismën me punë kërkimore, informim publik, edukim qytetar, komunikim dhe koordinim praktik. ADCN nuk është aplikuesi, nuk e drejton nismën, dhe nuk zëvendëson KQZ-në apo çdo institucion tjetër kompetent.

Kontakt për media: [email protected]

Burime

  • Kërkesa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Nenet 2 dhe 150–152.
  • Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Neni 185(2).
  • Ligji Nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për zonat e mbrojtura’”.
  • Ligji Nr. 81/2017, “Për zonat e mbrojtura” (i përditësuar).
  • Vendimi Nr. 45/2025 i Gjykatës Kushtetuese, datë 31 korrik 2025.
  • Vendimi i Komisionit Rregullator të KQZ-së, datë 14 korrik 2026, mbi procedurat e nënshkrimeve referendare.
  • Komisioni Evropian, Raporti 2025 për Shqipërinë.
  • “Flamingo Revolution” — kronologji dhe raportim ndërkombëtar.
  • Mongabay — mbi projektin turistik në Vjosë-Nartë të lidhur me Jared Kushner.

Dokument zyrtar

Kërkesa zyrtare

Kërkesa e grupit nismëtar drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e procedurave për mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 (version i anonimizuar).

Hap dokumentin (PDF)